Abu Dhabi është qyteti që pothuajse më së miri e ka të gërshetuar kulturën arabe dhe modernen. Ka një popullsi prej një milion e gjysmë banorësh, shumica e të cilëve janë të huaj, kryesisht hindus, pakistanezë dhe britanik.
Është themeluar në 1760 dhe për një kohë të gjatë nuk ndryshonte nga qytetet e tjera të Gjirit. Mirëpo pas zbulimit të depozitave të pasura të naftës në këtë rajon, ndryshoi në mënyrë drastike.
Abu Dhabi është kryeqyteti dhe qyteti i dytë më i populluar, pas Dubait, i Emirateve të Bashkuara Arabe. Shtrihet kryesisht në një ishull në formë të shkronjës “T” në bregdetin verilindor të këtij gjiri.
Qyteti është i njohur me pseudonimin si “Manhattani i Lindjes së Mesme”, për ndërtesat e tij të larta e të bukura. Qendra biznesore është e koncentruar në veri të qytetit, disa blloqe që prekin “ujin dhe qiellin”.
Pjesa tjetër e qytetit, sidomos zona në lindje, Al Ain, është e tëra e mbuluar me palma dhe shkurre dekorative, të cilat iu mundësojnë vizitorëve të kënaqen me pamjet e mrekullueshme të Abu Dhabit.
Afër qendres biznesore ndodhet edhe Parku “Bota e Ferarrit”, një qendër e madhe argëtuese “në stilin e Ferrarit”. Në këtë park gjithçka duket italiane. Përveç ekspozitës së veturave Ferrari, edhe kuzhina është italiane.
Pika tjetër më tërheqëse e qytetit për turistët është vendi ku ndodhet xhamia që mban emrin e themeluesit dhe presidentit të parë të shtetit, Sheikh Zayed. Ajo u hap në vitin 2007.
Xhamia Sheikh Zayed është një prej xhamive më të mëdha në botë dhe më e madhja në Emiratet e Bashkuara Arabe. Qasja brenda saj është e lejuar jo vetëm për muslimanët, por për të gjithë të tjerët.
Një pikë tjetër turistike është edhe Pallati AlhHusn, i ndërtuar në shekullin XIX për të mbrojtur ishullin e burimeve të disponueshme të ujit të freskët. Ndërsa aty afër ndodhet edhe Fshati Etnografik, ku mund të gjeni enët më të shtrenjta në botë – të punuara prej arit, prej metaleve të çmuara dhe ato nga balta.
Rruga “Cornish” është një prej shetitoreve më të famshme në qytet. Të gjitha tetë kilometrat e saj kalojë nëpër lagjet më të bukura të Abu Dhabit, përbuzë plazheve të mbushura me restorante, kafene dhe kënde të ndryshme lojërash për fëmijë dhe të rritur.
Uji në këto plazhe është shumë i pastër, ndërsa siguria e turistëve është maksimale, meqë përveç organeve të rendit, secili nga hotelet ka dhjetëra njerëz të angazhuar për kujdesin ndaj pushuesëve.
“Yas Water Park” është pika më e re turistike e qytetit, e cila tërheq miliona vizitorët e Abu Dhabit që të përjetojnë të paktën një ditë sportet rekreative ujore në qendrat me infrastrukturë moderne, shumë mbresëlënëse. /Pushime.com/