Çfarë të bëni nëse ju anulohet fluturimi

Të gjithë udhëtarët të paktën njëherë në jetë e kanë përjetuar – lajmin se fluturimi i tyre është anuluar.

Për fat të mirë, ka disa gjëra që mund të bëni që të siguroheni se anulimi të mos ua shkatërrojë planet tuaja të udhëtimit.

Një udhëtues, që ka udhëtuar me mijëra herë me aeroplan – Stephanie Vardavas – ka shpërndarë në Quora disa këshilla të mrekullueshme se çfarë të bëni nëse fluturimi juaj anulohet.

Ja çfarë sugjeron ajo:

Menjëherë thirreni kompaninë e fluturimit dhe kërkojuni që t’ua rezervojnë një tjetër fluturim

Vardavas thotë se kjo është “gjëja e parë më e rëndësishme që mund të bëni”. Ajo thotë se nuk do të obligoheni të paguani për ri-rezervim, dhe se sa më shpejt që të thirrni, aq më shumë do të keni gjasa që të fitoni një rezervim.

Nëse merrni vesh se fluturimi është anuluar për shkak të problemeve me avionin, ndoshta mund të fitoni një kupon strehimi

Sipas Vardavas, nëse fluturimi juaj është anuluar si pasojë e motit, kompania ajrore nuk ju ka borxh asgjë. Por, nëse anulimi ka të bëjë diçka me kompaninë ose aeroplanin, atëherë ju duhet të pyetni menjëherë për kuponët e ushqimit dhe akomodimit. Nëse anulimi çon në një vonesë deri ditën e nesërme, kompania ajrore duhet të ju rehatojë në një dhomë hoteli për ta kaluar natën.

Qëndroni të qetë dhe tregohuni të sjellshëm ndaj punonjësve të kompanisë ajrore

Anulimet e fluturimeve të nervozojnë, sidomos kur duhet të shkoni diku patjetër në atë ditë. Megjithatë, Vardavas thotë, fajin për këtë nuk e kanë punonjësit që punojnë për kompaninë ajrore. Kështu që mos u shfryni në ta. Në vend të kësaj, qëndroni të qetë dhe tregohuni të shoqërueshëm – kjo është mënyra më e mirë për të fituar një tjetër rezervim për fluturimin tjetër dhe të shkoni në destinacionin tuaj sa më shpejt që është e mundur.