Këto gjëra mos i bëni asnjëherë kur jeni në Kroaci

Kroacia varet shumë nga turizmi – por kroatët presin që turistët ta respektojnë vendin dhe kulturën e tyre kur janë duke e vizituar atë.

Ka shumë gjëra që vizitorët i bëjnë në këtë vend dhe që ndoshta në vendin e tyre nuk do t’i bënin kurrë.

Me Kroacinë që mbushet çdo herë me turistë, janë vërejtur edhe sjellje të pahijshme të turistëve sa herë që kanë qenë në këtë vend.

Më poshtë janë disa gjëra që turistët i bëjnë në Kroaci dhe që i nervozojnë shumë vendasit (kështu që, këto gjëra duhet t’i evitoni kur e vizitoni këtë vend).

Të silleni pa respekt

Kroatët janë krenarë me vendin e tyre, dhe të huajt që vijnë dhe përdhosin monumentet historike ose i trajtojnë keq vendasit, sigurisht se nuk pëlqehen. Kroacia mund të ketë nevojë për turizëm për shkak të të ardhurave, por nuk ka nevojë për sherre. Madje, kroatët nuk njihen si njerëz që shkojnë në vende të huaja dhe sillen keq – kështu që, pse duhet të vuajnë ata sjellje të këqija nga të tjerët?

Të mos i mësoni disa fjalë thelbësore

Edhe pse shumica e kroatëve flasin anglisht, nuk do të thotë se ata thjeshtë do të flasin me juve në këtë gjuhë. S’mund të jetë e vështirë t’i mësoni disa fjalë dhe fraza thelbësore si për shembull përshëndetje, të lutem dhe faleminderit.

Të lini bërllok

Plazhet kroate janë të pastra dhe me ujëra si kristali. Jo vetëm që është mirë për mjedisin që të mbahen në këtë mënyrë, por kjo është gjithashtu një nga arsyet pse njerëzit e vizitojnë Kroacinë – për pastërti pra. S’ka asgjë më keq se të lësh një shishe plastike ose të gjuash cigaren në tokë. Mos gjuani asgjë në tokë, çdo gjë hidheni në shportën më të afërt ose merreni me vete.

T’i bllokoni rrugët dhe korridoret

Është një skenë me të cilën jemi të gjithë të njohur: një grup turistësh duke e bllokuar një rrugë në qendra historike të qyteteve – si Split, për shembull, ose Dubrovnik. Qyteti është i kënaqur që keni ardhur për ta vizituar atë, por rrugët nuk ju përkasin juve – lini hapësirë për të gjithë që të kalojnë.

Të hani në autobus ose tramvaj

Kjo bëhet në Londër dhe disa qytete të tjera, por jo në Dubrovnik. Ndoshta ju kënaqeni me copën e picës që jeni duke e ngrënë, por mendoni për pasagjerët e tjerë kur ta sillni me veten ushqimin tuaj të nxehtë, me erë të rëndë në autobus ose tramvaj – ose edhe më keq, në udhëtime të gjata në qytetet e zëna.

Të bëni zhurmë dhe të deheni

Do të shihni shumë kroatë duke pirë. Por nuk do të shihni asnjë kroat të dehur duke u endur nëpër rrugë. Sjelljet e zhurmshme dhe të pahijshme, përdorimi i rrugëve si tualete, thyerja e shisheve nëpër rrugë, të bërtasësh nëpër qytet natën vonë – të gjitha këto konsiderohen shumë të ulëta. Kroatët në përgjithësi zgjohen herët dhe shumica prej tyre shkojnë herët në shtrat – sepse duhet të punojnë.

Të merrni pjesë në diskutime politike

Historia e kësaj pjese të Evropës është e dhimbshme dhe e ndjeshme. Këtu në Kroaci, ndodhi një luftë e tmerrshme 25 vjet më parë. Kështu që, është më mirë të mos përfshiheni në ndonjë debat politik pasi njohuritë tuaja dhe pikëpamjet tuaja mund të jenë shumë të ndryshme nga vendasit atje. Shmangeni temën, ndërrojeni atë.

Të mendoni se mund të përdorni vetëm euro

Është në rregull të pyesësh se a mund të paguash në euro – por është gjë tjetër t’i japësh 50 euro pa pyetur, dhe më pas të presësh se do ta kthejë në euro mbetjen. Monedha këtu është kuna, atje ka shumë zyra dhe ATM për shkëmbim të parave. Shumë biznese pranojnë euro – edhe pse jo monedha metalike. Bëhuni të sjellshëm, pyetni së pari, paguani në euro nëse duhet, dhe pranojeni me mirësi mbetjen në kuna.

T’i trajtoni kishat si vende për selfie

Kroacia është një vend katolik dhe kishat janë monumente të rëndësishme. Kështu që nuk duhet t’i trajtoni kishat dhe brendësinë e tyre si vende për të bërë foto dhe poza të ndryshme. Kishat janë vende për t’u lutur. /pushime.com