Këto gjëra mos i bëni kurrë në Turqi

Populli turk njihet se sa miqësor është, kështu që t’i nervozosh ata është pak si e vështirë.

Megjithatë, ka disa gjëra që turistët i bëjnë e që nuk iu pëlqejnë aspak vendasve. Ne në pushime.com i kemi mbledhur ato më poshtë, në mënyrë që t’i evitoni kur e vizitoni këtë vend.

Veshja e rrobave të papërshtatshme në xhami

Kur të vizitoni xhamitë e bukura historike nëpër Turqi, sigurohuni që të tregoni respektin tuaj duke u veshur me modesti. Gratë duhet gjithmonë t’i mbulojnë kokat e tyre, krahët dhe këmbët, përderisa meshkujt nuk duhet ta vizitojnë një xhami duke pasur veshur shorce. Gjithashtu sigurohuni që t’i hiqni këpucët para se të hyni në një xhami dhe të tregoni respekt për njerëzit që mund të jenë duke u falur në qetësi.

Lënia e ushqimit në pjatë

Në Turqi, nëse e lini ushqimin në pjatë automatikisht do të thotë se nuk ju pëlqeu ushqimi dhe punëtorët e restorantit në të cilin jeni do të ofendohen menjëherë. Nëse jeni plotësisht i ngopur dhe nuk mund të hani më, duhet t’iu tregoni atyre në mënyrë që të mos keqkuptoheni. Megjithatë, ngrënia e tërë ushqimit në pjatë është një gjest i mirë.

Të injorosh Ramazanin

Ramazani është një festë e madhe në Turqi dhe nëse ju ndodh të jeni në këtë vend gjatë muajit të agjërimit, atëherë është mosrespekt të hani ose të pini në rrugë, pasi mund t’ju shohin ata që janë duke agjëruar. Gjatë kësaj kohe, sigurohuni që të hani në restorante dhe të evitoni ngrënien dhe pirjen në rrugë.

Mos heqja e këpucëve

E diskutuam tashmë këtë për xhamitë, por t’i hiqni këpucët edhe kur hyni në shtëpinë e dikujt është shenjë respekti. Turqve iu pëlqen që t’i mbajnë shtëpitë e pastra, kështu që hiqni këpucët sapo ta vizitoni shtëpinë e dikujt.

Të mos dini pak fjalë turke

Turqishtja është një gjuhë e vështirë dhe askush nuk pret që ta flisni rrjedhshëm turqishten brenda pak ditëve. Megjithatë, është shenjë e madhe respekti t’i dini të paktën disa fjalë vetëm për t’u lidhur me vendasit. Do të shihni se shumica e turqve nuk e flasin anglishten, kështu që pak fjalë mund t’ju ndihmojnë të komunikoni.

Ta ofendoni Mustafa Kemal Ataturkun

Kur të shkoni në Turqi shpejt do ta kuptoni se portreti i Ataturkut, themeluesit dhe presidentit të parë të Republikës Turke, është kudo. Kështu, nuk është kurrë ide e mirë që ta ofendoni këtë figurë shumë të rëndësishme në historinë e Turqisë.

Të bëni foto pa pyetur

Ka shumë gjëra që do të keni dëshirë t’i fotografoni kur jeni në Turqi, por mbajeni në mend se disa vendas nuk kanë dëshirë që të fotografohen dhe nganjëherë është ide e mirë që të merrni leje para se të fotografoni dikë.

Të flisni për politikë

Është pothuajse asnjëherë ide e mirë që të flisni me zë të lartë për politikë në publik sepse asnjëherë s’mund ta dini kush ndodhet përreth dhe ka mundësi që dikush të ofendohet nga opinionet tuaja. Bëni bisedat për politikë në privat me miqtë tuaj dhe flisni më shumë për tema neutrale kur jeni në publik.

Mospranimi i mirësisë së një vendasi

Turqit shpesh janë jashtëzakonisht zemërgjerë, duke i ftuar vizitorët në shtëpitë e tyre për darkë ose duke iu ofruar ndihmë. Mospranimi i këtyre akteve të mirësisë mund të jetë fyese, prandaj sigurohuni që t’i injoroni lehtë ose thjeshtë të pranoni mirësjelljen e tyre. /pushime.com