Këto gjëra që jua mësojnë udhëtimet nuk i mësoni në shkollë

Padyshim shkolla ka një vlerë të rëndësishme dhe dashuria ndaj shkollës duhet të ushqehet në çdo moshë, por megjithatë sipas një shkrimi në prestigjozen “Huffington Post”, që e transmeton atsh, shkruhet se nga ana tjetër udhëtimi është një mësues po aq i mirë (në mos më tepër) për të marrë mijëra leksione.

Mes morisë së gjërave që mësohen në udhëtime e jo në shkollë, ata rëndisin të paktën dhjetë më të rëndësishmet. Sipas një vajze që ka udhëtuar që në moshë të vogël udhëtimet të mësojnë…

Si të vlerësosh dhe të kuptosh një kulturë tjetër

Leximi për një kulturë të caktuar në librat e shkollës është krejt ndryshe nga përvoja e të jetuarit në atë kulturë. Qoftë nëse jeni duke vizituar një muze, duke parë një vepër të mahnitshme arkitekturore apo thjesht keni ndaluar për një kafe, udhëtimi do t’ju ekspozojë ndaj personave dhe stileve të jetesës krejt të ndryshme nga ajo që hasni çdo ditë në atdheun tuaj. Para se ta kuptoni dhe vetë, do të keni marrë zakone të vendasve dhe do të bini në dashuri me ushqime që as emrin nuk dini t’ua shqiptoni.

Të jesh i durueshëm

Nuk kam pasur asnjë udhëtim ku çdo gjë ka shkuar vaj. Kam humbur valixhe, jam ngatërruar në mënyrë të pashpresë me orientimin, jam kthyer me anije pasi treni kish pësuar defekt në mes të rrugës, e madje kam qenë dhe në një aeroport ku shpërtheu një bombë.

Në përgjithësi, jeta nuk vjen kurrë ashtu siç e planifikojmë ne, edhe kur jemi me pushime. Të mësosh si të menaxhosh me të papriturat gjatë udhëtimeve të bën të jesh një person më i duruar gjatë çdo dite të jetës. Përballja me problemet e jetës së përditshme bëhet akoma më e thjeshtë me kalimin e kohës.

Rëndësinë e ‘çlirimit’ nga mediat sociale

Mediat sociale marrin një kohë të madhe të jetës së të rinjve. Krahasimi i vazhdueshëm i jetës tënde me të tjerëve krahasuar me fotot e kuruara apo numrin e likeve dhe komenteve mund të jetë shpërqendruese dhe deri e dëmshme.

Ndaj, kur udhëtoj e adhuroj faktin që jam e shkëputur nga lidhja me internetin. Kështu ndaloj së ‘shqetësuari’ për të parë se çfarë bëjnë të tjerët dhe fokusohem në shijimin e jetës sime, në argëtimin tim personal. Pasi kthehem në shtëpi kuptoj gjithmonë se një jetë e jetuar pas një ekrani nuk mund të krahasohet me një jetë të jetuar në gjithë tërësinë e saj.

Si të jetosh momentin

Në shkollë shqetësohemi shpesh më tepër sesi do jetë e ardhmja, sesi do kalojmë semestrin e ardhshëm, çfarë pune do të kemi etj,. Ndërsa udhëtimi të mëson që duhet të ndalosh çdo gjë tjetër dhe të mos shqetësohesh; vetëm të shijosh momentin! Zgjimi në një shtet të ri, të paeksploruar më parë të nxit andrenalinën dhe je më energjik, duke e bërë gati të pamundur të shqetësohesh për të ardhmen apo të fiksohesh pas të shkuarës. Ndryshimi mes përjetimit të çdo dite të jetës në vend të shqetësimit për gjëra jashtë mundësisë tënde për t’i ndryshuar është një ndër mësimet më të vyera, për të jetuar çdo çast si unik.

Ne nuk jemi kaq të ndryshëm

Pavarësisht kulturës, ngjyrës së trupit, vendndodhjes gjeografike, ose gjuhës, të gjithë kërkojnë nga jeta të njëjtat gjëra. Të gjithë duam sigurinë, suksesin, të gjithë duam të jetojmë një jetë ku mund të kthejmë kokën pas e të ndihemi krenar. Nëse nuk largohesh kurrë nga zona jote e konfortit, është e lehtë të flasësh me terma si “ne dhe ata”, por asgjë nuk shkon përtej realitetit. Nëse udhëtoni qoftë dhe njëherë, do të kuptoni se i gjithë globi ka vetëm një qëllim: lumturinë!

Bota nuk është aq e frikshme sa mendon

Nëse shikon lajmet po aq sa dhe un, është e vështirë të mos mendosh se e gjithë bota është e frikshme dhe një vend i rrezikshëm. Por megjithatë përgjithësisht çdo qytet ku do të shkosh do të jetë po aq i sigurt sa ai ku jeton aktualisht. Rreziku është i pranishëm kudo, dhe shanset për t’u ekspozuar ndaj saj janë njësoj si në shtëpinë tënde apo jashtë shtetit, ndaj nuk ka arsye për të lejuar që frika të të ndalojë për të eksploruar vende të reja.

Jeni mjaft më të aftë nga ç’mendoni se mund të ishit ndonjëherë

Njerëzit gjithnjë thonë se udhëtimi është një eksperiencë transformuese dhe kjo është më se e vërtetë, pasi e njeh veten në situata që as do t’i kishit imagjinuar ndonjëherë. Ndërsa kthej vështrimin pas, s’do ta besoja kurrë se mund të bëja gjërat që aktualisht i kam bërë. Qoftë kjo miqësimi me njerëz krejt të panjohur, futja nëpër turma krejt të pakalueshme, apo edhe vetë nisja në një udhëtim të paplanifikuar, janë gjëra që më bëjnë të ndihem mirë ndërsa shoh pas në udhëtimet e kaluara. Ndjej krenarinë e pjesëmarrjes në një maratonë, ku di që çdo hap mund të më ndryshojë në formën më të mirë të mundshme.

Nuk ka asnjë vend si shtëpia

Udhëtimi nëpër botë është një eksperiencë shpërblyese dhe mendoj se kurrë nuk ka patur një vend që nuk më ka pëlqyer. Por me gjithçka që thash më sipër e pavarësisht sesa shijoj çdo udhëtim, nuk ka asgjë si vendi dhe shtëpia jote me gjithë të metat dhe mangësitë e saj.

Ditë pas dite problemet nuk janë vërtet “probleme”

Është e lehtë të kapesh në faj në botën tënde të vogël, ku gjërat e parëndësishme si një prerje e keqe flokësh apo derdhja e kafes në këmishën tënde të preferuar janë gati shkatërruese, por vetëm pasi udhëton kupton që probleme të tilla nuk janë aspak probleme. Pasi sheh sesi jeton pjesa tjetër e botës fillon të kuptosh që je shumë me fat që bën jetën që ke.

Qëndro i përulur

Gjatë gjithë jetës na është thënë sesa e rëndësishme është të jetosh dhe sesi kjo është një eksperiencë unike. Por në fakt pasi udhëton kjo rezulton të jetë e pavërtetë. Personat e zakonshëm nuk janë vërtetë të rëndësishëm në kuptimin makro të jetës. Bota është një vend gjigant dhe secili nga ne zëmë një vend tejet të vogël në të. Kjo duket mjaft e trishtë por është një fakt për të të kujtuar të jesh gjithnjë i përulur dhe falënderues ndaj gjithçkaje që ke.