Kjo është historia e shpellave përrallore të Kapadokias

Oxhaqet e famshme të Kapadokias, një peizazh surreal i formacioneve shkëmbore, ndryshojnë ngjyrë me çdo perëndim të diellit.

Por si u krijuan këto mrekulli të çuditshme natyrore? Sot pushime.com i hedh një vështrim historisë prapa shkëmbinjve më madhështor të Turqisë.

Formacionet e shkëmbinjve, të cilat e kanë bërë Kapadokian një nga destinacionet më të njohura në Turqi, u shfaqën për shkak të një procesi gjeologjik që filloi miliona vite më parë.

Shpërthimet e lashta vullkanike mbuluan rajonin në hiri të trashë, që më vonë u ngurtësua në një shkëmb të butë të quajtur “shtuf”. Kur forcat natyrore të erës dhe ujit e bënë punën e tyre, vetëm elementët më të fortë mbetën për të formuar ‘oxhaqet përrallore’ që mund të shihen sot, duke u shtrirë deri në 130 metra në qiell.

Megjithatë, ishte edhe zgjuarsia njerëzore që i dha Kapadokias estetikën e saj magjike. Gjatë periudhës romake, të krishterët e persekutuar u arratisën në Kapadokia (më saktësisht në qytetin Goreme), dhe shpejt e kuptuan se shtufa ishte një material i dobishëm dhe i lakueshëm.

Banorët vendosën të ndërtonin një rrjet të shpellave të punuara me dorë, banesave, kishave, stallave dhe depove, të gjitha të gërmuara në shkëmbin e butë.

Sot ka ende shenja të dukshme të jetës së kaluar brenda rrjetit të shkëmbinjve të punuar me dorë; stalla me doreza të përdorura për të lidhur kafshët, muret me vrima të destinuara për qarkullim të ajrit dhe muret e zeza që dikur ishin kuzhina.

Qytetet nëntokësore gjithashtu duhej të ndërtoheshin për shkak të frikës se forcat armiqësore do të zbulonin strehimin e tyre. Pothuajse 10 kate të thella dhe të lidhura me pasazhe të ngushta, këto qytete nëntokësore mund të fshihnin deri në 10,000 njerëz në të njëjtën kohë.

Boshtet e ventilimit u maskuan si puse, ndërsa dyert e mëdha prej guri u vendosën për të mbrojtur hyrjet. Kishat e Goremes duhet të përmenden gjithashtu, për shkak të afreskeve të bukura që i kanë mbijetuar kohës.

Një nga shembujt më të mirë është Kisha e Errët në Goreme, një kompleks monastik i ndërtuar në shekullin e 11-të, muret e të cilit janë të mbuluar me skena shumëngjyrëshe.

Dikur strehë ‘refugjatësh’, shkëmbinjtë e gdhendur të Kapadokias tani janë destinacion turistik ku shëtitjet me balona të nxehtë ajri i lejojnë vizitorët të shikojnë këtë Trashëgimi Kulturore të UNESCO-së.