Kotori – destinacioni juaj për fundjavë!

Me tiparet e tij të larmishme dhe unike natyrore, gjeografike dhe historike, Gjiri i Kotorit është një peizazh kulturor me vlera universale të jashtëzakonshme. Në saje të këtyre vlerave, rajoni si i tërë, u fut në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s më 1979.

Me natyrë mjaft komplekse, muret rrethuese të qyteteve të sotëm, mbetjet e qyteteve antike, shkëmbinjtë gëlqerore të Orjenit, Maja e Lovqenit, dhe zonat tjera përreth Kotorit, formojnë një prej peizazheve më mbresëlënëse, më piktoreske jo vetëm të Adriatikut, por edhe Mesdheut.

Ishulli “Zonja e Shkëmbinjëve”
Ishulli “Zonja e Shkëmbinjve”

Zona e Kotorit përfshin më shumë se dhjetë qytete e vendbanime të vogla, po me tipare dalluese.

Kotori ka arkitekturë mahnitëse, një trashëgimi të pasur kulturore dhe artefakte plot vlerë. Muret e trasha që rrethojnë qytetin, dikur kanë qenë vija e fundit e mbrojtjes prej ushtrive pushtuese, por sot, janë një atraksion turistik.

Ishulli i Shën Gjergjit
Ishulli i Shën Gjergjit

Afër Kotorit, gjendet edhe Risani, Rizoni antik, vendbanimi më i njohur i antikitetit ilir në rajon.
Risani, ish-qendëra e kulturës Ilire ka ruajtur mbetjet e asaj kohe dhe kalanë kodrinore të njohur si Kalaja e Gradinës.

Në këtë qytet, i cili gjendet mes Shkodrës dhe Dubrovnikut, ishte selia ushtarake e mbretëreshës ilire Teuta. Para disa vitesh në Risan kanë nisur gërmimet arkeologjike në kuadër të projektit “Risinium-vendi i mbretëreshës Teutë”, të cilat nxoren në pah shumë zbulime me vlera të mëdha kulturore.

Kotori
Kotori

Viteve të fundit, Kotori ka parë një rritje të qëndrueshme në turistët. Turistët tërhiqen për të parë muret rrethuese të qytetit, qytetin e vjetër, Kullën e Sahatit, Katedralën e famshme të Shën Tripunit, Kishën e Shën Lukës, Kishën e Shën Nikollës, dhe ishullin mbresëlënës të “Zonjës së Shkëmbinjeve”.

Muret rrethuese të qytetit të Kotorit
Muret rrethuese të qytetit të Kotorit

Nëse nuk e keni ditur, simbol i Kotorit janë macet. Ato mund t’i shihni kudo nëpër rrugë, sidomos pranë restoranëve të bukura të qytetit. Madje, përveç një shitoreje me suvenire macesh, është edhe Muzeu i Maceve. Vendorët krenohen me macet, flasin për shumëllojshmërinë e racës së tyre të sjellë në Kotor qindra vjet më përpara nga tregtarët me anije.

Risani
Risani

“Lonely Planet”, një prej faqeve më të njohura të udhëtimit në botë, Gjirin e Kotorit e ka përzgjedhur si një prej dhjetë vendeve që duhet vizituar gjatë vitit 2016. Vizitojeni edhe ju! Me siguri ia vlen!  /Pushime.com/