Kryeqendra e bukur e dalmatëve

Spliti është qyteti i dytë më i madh i Kroacisë, pas Zagrebit, dhe ndër më të bukurit e Dalmacisë. Shtrihet në bregun lindor të detit Adriatik, me qendër të ndërtuar prej kohës së sundimit romak.

Spliti është ndër qytetet më të vizituara të Kroacisë, me qendër të mbrojtur nga UNESCO që prej vitit 1979, si dhe plazhe afër vendbanimeve, të cilat tërheqin dhjetëra mijëra vizitorë të huaj gjatë vitit.

 

Foto: thebigsail
Foto: thebigsail

Pallati i Dioklecianit është një pallat i lashtë i perandorit romak të lindur në Iliri, Dioklecianit.

Këtë pallat që ndodhet në mes të pjesës së qytetit të rrethuar me mure, perandori Diokleciani e ndërtoi në vitin 305, pas 20 vjetësh që drejtoi Perandorinë e Romës.

Pallati është ndërtuar në Gjirin e Gadishullit, pesë kilometra në jugperëndim të Salonës, asokohe kryeqytet i provincës së Dalmacisë. Edhe mbetjet e Pallatit janë pjesë e qendrës historike të qytetit, të cilat gjithashtu janë regjistruar nga UNESCO në listën e Trashëgimisë Botërore qysh në vitin 1979.

 

Foto: hotelluxesplit
Foto: hotelluxesplit

Brenda mureve të qytetit të vjetër ka një katedrale dhe shumë bare, restorante dhe hotele luksoze. Riva është shëtitorja moderne bregdetit të Splitit, “e veshur” me palma që çojnë te Sheshi i Popullit.

Plazhi më i njohur, me rërë, është Baçvice, ndërsa plazhi tjetër i famshëm, me guralec, është Ovçice.

 

Foto: split-transfer-taxi
Foto: split-transfer-taxi

Një pikë shumë atraktive për adhuruesit e parqeve dhe shumë rekreative për banorët e Splitit, është gadishulli i qytetit, i quajtur Marjan. Është i tëri i mbuluar me pisha mesdhetare, i rrethuar nga qyteti dhe deti, duke e bërë  atë një vend me pamje unike.

Muzeu Arkeologjik i Spliti është një prej qendrave kulturore më të vizitura të qztetit, pasi brenda tij ndodhen objekte nga kohët parahistorike deri në Mesjetë. Afër tij ndodhet edhe Galeria e Arteve të Bukura, me vepra të artistëve më të njohur të Kroacisë.

 

Foto: unluxrooms
Foto: unluxrooms

Përreth Splitit janë edhe disa ishuj të bukur, ndër ta edhe Braç, i cili arrihet brenda një ore me anije. Është ishulli më i madh në bregdetin dalmatin, ka disa vendbaime, rreth 15 mijë banorë dhe mijëra vizitorë që pushojnë nëpër plazhet e tij të bukura. Qyteti kryesor i ishullit është Supetari, me mbi tre mijë banorë.

Fundjava në Split është mbresëlënëse, pasi për të arritur atje, rruga më e shkurtër nga Kosova është të kaloni nëpër qytetin e bukur të Kotorrit në Mal të Zi dhe Dubrovnikun, një tjetër qytet shumë i famshëm i Kroacisë. /Pushime.com/