Ky fshat në Itali po shet shtëpi për vetëm 1 euro

Në ishullin mesdhetar të Sardinjës, fshati i vogël i Ollolait është në rrezik të kthehet në një fshat fantazmë.

Gjatë gjysmës së shekullit të kaluar, popullsia e fshatit ka rënë nga 2,500 njerëz në 1,300. Dhe tani, atje ka qindra shtëpi të braktisura.

Në përpjekje për të joshur banorë të rinj, qeveria e Ollolait është duke i shitur 200 shtëpi në këtë fshat për 1 euro.

Sipas CNN, fshati tashmë i ka shitur tri shtëpi dhe më shumë se 100 njerëz nga pjesë të ndryshme të botës kanë shprehur interes që ta blejnë një.

Por krejt kjo punë ka edhe një truk. Si pjesë e marrëveshjes, pronarët e rinj duhet të paguajnë për t’i rinovuar shtëpitë e tyre brenda tri vitesh, që pritet të kushtojë deri në 20,000 euro.

Kryetari i fshatit, Efisio Arbau, thotë se qëllimi është që të ruhet kultura e fshatit. “Ne kemi origjinë parahistorike”, tha ai për CNN. “Qëllimi im është t’i shpëtoj traditat tona unike nga rënia në harresë”, tha ai.

Kjo nuk është hera e parë që një fshat italian ofron shtëpi për kaq pak para. Siç kishte raportuar edhe më herët Business Insider, fshati sicilian Gangi filloi të shiste shtëpi për 1 euro në vitin 2015.