Ky tren do t’i dërgojë njerëzit nga Londra në Amsterdam për tri orë

Shërbimet hekurudhore direkte të Eurostar mes Londrës dhe Amsterdamit do të fillojnë më 4 prill, njoftoi kompania, një lëvizje kjo që do të shkaktojë luftë çmimesh me linjat ajrore.

Biletat për dy trenat e përditshëm – duke filluar nga 35 funte për një drejtim – do të dalin në shitje më 20 shkurt. Treni do t’ua mundësojë udhëtarëve të udhëtojnë nga stacioni St. Pancras në Londër drejt e në Holandë për tre deri në katër orë.

Më shumë se 4 milionë pasagjerë në vit fluturojnë nga Londra për në Amsterdam, duke e bërë atë një nga rrugët më të ngarkuara të Evropës.

Operatori hekurudhor do të sfidojë kompanitë ajrore që kalojnë nëpër këtë rrugë, si British Airways, easyJet dhe Ryanair. Planet për këtë shërbim u bënë të ditura për herë të parë në shtator të vitit 2013, por data zyrtare e fillimit ka qenë subjekt i disa vonesave.