Liqeni është i Strugës!

Liqeni ua jep Ohrit dhe Pogradecit bukurinë, ndërsa Strugën e zbukuron edhe me lumin që buron prej tij. Drini i Zi largohet ngadalë nga liqeni duke gjarpërrua përmes qytetit të bukur të struganëve.

Kur e bashkon bukurinë që ia jep liqeni me atë të lumit, Struga bëhet qytet tërheqës për vizitorët vendorë dhe të huaj. Shumë turistë, sidomos nga rajoni, rikthehen për të kaluar fundjavën në Strugë.

Struga është qytet me shumicë shqiptare, është afër, është i bukur dhe organizon disa ngjarje kulturore, prej të cilave më i rëndësihmi është Festivali “Këngë Jeho”, që mbledh ansamble nga gjitha trojet shqiptare.

 

Mbrëmja në Strugë. Foto: hotelbiser
Mbrëmja në Strugë. Foto: Hotelbiser

 

Turizmi është dega kryesore e ekonomisë strugane, prandaj viteve të fundit ka pasur investime në infrastrukturë.  Kjo dhe organizimi i disa aktiviteteve kulturore e kanë shndërrruar këtë qytet në një destinacion të preferueshëm për të kaluar dy-tre ditë për shumë qytetarë nga Kosova e Shqipëria

Në Strugë mund të pushojnë vizitorë të shtresave të ndryshme shoqërore, sepse oferta turistike është e larmishme. Mund të pushoni me pak para, por nuk mungojnë hotelet me yje që ofrojnë shërbim më të kualifikuar.

Liqeni i Ohrit është një nga liqenet më të mëdha në Gadishullin Ballkanik dhe llogaritet si një nga liqenet më të vjetra në botë. Gjendet në një lartësi mbidetare prej 695 metrash dhe ka një sipërfaqe prej 349 km².

 

Plazhi i Strugës
Plazhi i Strugës

Pika më e thellë e liqenit është 289 metra. Pjesa më e madhe e liqenit i përket Maqedonisë, kurse pjesa tjetër i përket Shqipërisë. Në bregun e liqenit shtrihen tre qytete të mëdha: Ohri dhe Struga në Maqedoni dhe Pogradeci në Shqipëri.

Liqeni, nga ana e Maqedonisë quhet i Ohrit, ndërsa nga ana e Shqipërisë quhet i Pogradecit, por në fakt, aq sa është i këtyre dy qyteteve, është edhe liqeni i Strugës. /Pushime.com/