Liqeni i Komanit do t’ju lë të mahnitur!

Shëtitja njëditore në itinerarin Koman-Fierzë është një përvojë unike që mund të përjetohet vetëm në veriun e Shqipërisë. Udhëtimi me traget përgjatë liqeneve artificiale të krijuara për ndërtimin e hidrocentraleve, do t’ju dhurojë pamje të mrekullueshme të një cope të vyer të mozaikut të turizmit natyror shqiptar.

Shqipëria është e bukur ta vizitosh atë në çdo centimetër të saj, por askund nuk mund të ndjeni aq shumë për aq pak kohë sa zgjatë udhëtimi me traget përmes luginave të rrethuara me maja të larta.

Foto: Bjezhani Lushi
Foto: Bjezhani Lushi

Liqenet e Fierzës dhe Komanit përdoren rëndom edhe për transport udhëtarësh, por ju mund ta shfrytëzoni këtë udhëtim për turizëm, ta anashkaloni Rrugën e Kombit dhe nga Fierza afër Bajram Currit të niseni me traget drejt Komanit, i cili ndodhet rreth 30 kilometra në verilindje të Shkodrës.

Ky udhëtim që zgjatë përreth tre orë do të kthehet në një shëtitje të paharruar. Organizohuni dhe do të mbeteni të mahnitur nga thyrjet e shkëmbinjve dhe bukuria e shpateve të veshura me gjelbërim, që dikur ishin shpate pranë luginave.

kommaaan-0003

Liqeni i Komanit është formuar nga ujëmbledhësi i lumit Drin, ku është ngritur Hidrocentrali i Komanit. Liqeni ka sipërfaqe 12 km2, gjatësi 34.5 km dhe gjerësi 50-60 m. Rreth liqenit lartësohen male të pyllëzuara me lartësi 1000-1200 metra mbi nivelin e detit.

Ky rajon, veç vlerës turistike, ruan edhe vlera historike. Aty pranë ndodhet fshati Koman, ku është zbuluar një varrezë e Shekullit IV-VIII, e cila lidhet me kulturën e shoqërisë së hershme shqiptare.

kommaaan-0004

Për t’i ardhur në ndihmë vendorëve dhe turistëve, janë vënë në funksionim mjete lundrimi për pasagjerë, makina e mallra. Çdo ditë trageti Koman-Fierzë-Koman, ofron udhëtime në kushte shumë të mira, që lehtësojnë lëvizjen e popullsisë së kësaj zone e të udhëtarëve që duan të shkojnë në veri të vendit.

Veprat gjigande energjetike e Hidrocentralit të Fierzës dhe Komanit, madhështore dhe mbresëlënëse mund të vizitohen duke marrë leje paraprake nga autoritetet përkatëse. Hidrocentralet janë me të vërtetë objekte madhështore që ofrojnë supriza pa fund gjatë eksplorimit të tyre deri në 170 metra në thellësi të tokës.

kommaaan-0005

Rrugës për në Koman, ju mund të bëni një ndalesë për të vizituar liqenin e Vaut të Dejës, i cili përveç bukurisë ju ofron edhe një mundësi për drekuar në restorantet e bukura që ndodhen buzë liqenit.

Liqeni i Vaut të Dejës ndodhet vetëm 23 km larg Shkodrës. Ka një sipërfaqe prej 24.7 km, me thellësi maksimale 52 metra. Liqeni, përveç se ka hidrocentralin, shërben edhe për transport, peshkim e turizëm.

kommaaan-0007

Në mes të Liqenit të Vaut të Dejës është formuar edhe ishulli i Shurdhahut ose ishulli i Sardës, në zonën e të cilit në mesjetë sundonte dinastia e Dukagjinëve. Edhe sot ju mund të shikoni aty rrënojat e kishës së dikurshme dhe murin rrethues të fortesës.

Natyra e mrekullueshme do t’ju lërë aq shumë mbresa sa që ju do të donit që udhëtimi juaj tre orësh Fierzë – Koman të mos mbarojë edhe për disa orë të tëra. Në traget mund të gjeni edhe shërbimin e barit dhe ushqim të shpejtë, nëse do të gjeni kohë ta hiqni aparatin fotografik nga duart tuaja. /Pushime.com/