Për herë të parë Arabia do t’i hapë dyert për turistët

Arabia Saudite njihet si një shtet konservator me pak interes në vizitorë të huaj.

Por kjo pritet të ndryshojë, për shkak se Arabia Saudite ultra-konservatore më në fund do të mirëpresë pushues dhe do të fillojë të lëshojë viza për ta nga 1 prilli i këtij viti.

Vizat elektronike do t’iu jepen të gjithë “shtetasve, shtetet e të cilëve i lejojnë ata të vizitojnë” këtë shtet, një përpjekje kjo për ta modernizuar imazhin botëror të kombit nga shkretëtira dhe kështu për ta rritur ekonominë e tij.

Kjo vjen si pasojë e reformës sociale nga Princi Muhamed Bin Salman, iniciativë kjo që pritet të dyfishojë numrin e vizitorëve vjetor në 30 milionë deri më 2030. Parashikohet se shteti arab do të rrisë fitimet në 54 miliardë dollarë deri më 2020.

“Ne e pranojmë se Allahu i Plotfuqishëm i ka bekuar tokat tona me një dhuratë më të çmuar se nafta”, thuhet në misionin e tij ambicioz.

“Mbretëria jonë është tokë e dy xhamive të shenjta, vendeve më të shenjta në Tokë, dhe Qabes nga e cila drejtohen më shumë se një miliard myslimanë për t’u lutur”.

Pikat kryesore turistike ka gjasa të përfshijnë Xhaminë e Madhe të Mekës, vendin arkeologjik Mada’in Saleh dhe Plazhin Al Fanateer.