Praga, qendra e mrekullueshme historike e Europës Qendrore

Praga, kryeqyteti i mrekullueshëm i Republikës Çeke. I 14-i për nga madhësia në Bashkimin Europian, Praga është edhe qendra historike e Bohemisë. Bashkë me zonën e gjerë urbane llogaritet të ketë afro 2 milionë banorë. Praga ka qenë qendra politike, kulturore dhe ekonomike e Europës qendrore, teksa ka patur shumë ulje-ngritje në historinë e saj. Sot mbetet një prej qyteteve më të vizituar, një atraksion mbresëlënës për ata që e dashurojnë turizmin. 

 

Përmes qytetit të Pragës kalon lumi Vëltavë. Për ta vizituar më me lehtësi Pragën, pjesën qendrore të saj mund ta ndajmë në pesë zona.  Zona e parë ndodhet në bregun perëndimor të lumit, sipër një kodre. Këtu do të shihni Kështjellën e Pragës dhe Hradçaninë, qytetin që u ndërtua në periferi të kështjellës aty nga viti 1320. Brenda territorit të kështjellës ndodhet Katedralja e Shën Vitusit, një katedrale e madhe në stilin gotik. Ajo filloi të ndërtohej në vitin 1344, por u përfundua në vitin 1929. Aty ndodhen simbolet mbretërore dhe varri i princit Vençeslasi. Në zonën e kështjellës mund të shkohet me transport publik ose në këmbë. Rruga për atje është e përpjetë, prandaj vishni këpucë të rehatshme. Kur të arrini në zonën e kështjellës, mos lini pa parë shtëpitë jashtëzakonisht të vogla dhe dyqanet e dhuratave që ndodhen në Rrugicën e Artë (në çekisht Zlata Uliçka). Ato u ndërtuan nga fundi i shekullit të 16-të për pjesëtarët e gardës mbretërore. Më vonë, në shekullin e 17-të, aty u vendosën argjendarët. Nga kjo mori emrin Rrugica e Artë.

Në jug të kështjellës ndodhet Lagjja e Vogël, Mala Strana. Një libër udhërrëfyes thotë: «Lagjja është plot pallate madhështore të stilit barok dhe shtëpi të vjetra me tabela tërheqëse.» Praga njihet si Qyteti i Njëqind Majave, ndonëse ka më shumë se njëqind të tilla. Kjo na kujton kohën kur shumë çekë ishin fetarë. Këtu në Lagjen e Vogël shohim disa nga kishat e asaj kohe, ndonëse sot në epokën paskomuniste ato frekuentohen pak. Një nga më të famshmet është Kisha e Shën Nikollës. Filloi të ndërtohej më 1703 dhe përfundoi më 1761. Për ndërtimin e saj u desh kaq shumë kohë, saqë ndonëse punuan si arkitektë atë e bir, pra dy breza, asnjëri nuk e pa të përfunduar sa ishte gjallë.

Për të shkuar në anën lindore të Pragës, ka të paktën shtatë ura mbi lumin Vëltavë. Më e famshmja është Ura e Karlit (Karluf Most) që është vetëm për këmbësorët. Po të mos e përshkoni këtë urë nga fillimi në fund, një largësi afro 520 metra, nuk e keni shijuar Pragën. Provoni ta bëni këtë herët në mëngjes dhe në mbrëmje. Kur kundron peizazhet e ndryshme që krijohen nga efektet e dritave, e kupton se i gjithë mundimi ia vlen.

Ura lidh Lagjen e Vogël në bregun e majtë me Qytetin e Vjetër në bregun e djathtë që ndodhet në lindje. Zakonisht Ura e Karlit gumëzhin nga turistët, nga artistët e trotuareve dhe nga tregtarët. E gjithë kjo krijon një atmosferë kënaqësie e çlodhjeje. Ka shumë mundësi të dëgjoni një grup çek të talentuar të muzikës xhaz, të cilët po luajnë ndonjë pjesë të preferuar nga Nju-Orleansi. Ata madje shesin dhe kompakt-disqe e kaseta me interpretimet e tyre gazmore. Në ndonjë pikë tjetër mund të shihni studentë që përpiqen të fitojnë ca para duke shitur statujëza porcelani të lezetshme. Ato janë kopje në miniaturë të ndërtesave më të famshme të Sheshit të Qytetit të Vjetër. Në shtëpinë tuaj, me këto statujëza mund ta formoni vetë krejt sheshin, pa harruar edhe orën e famshme astronomike.