Roma, përjetësisht madhështore!

Historia e Romës është 2500 vjeçare. Ishte kryeqyteti i Mbretërisë Romake, Republikës Romake dhe Perandorisë Romake. Ishte fuqia dominuese në Evropën Perëndimore dhe tokat në kufi të Mesdheut për më shumë se shtatëqind vjet.

Roma, kryeqyteti i Italisë, në vitin 2010 u zgjodh një ndër 28 qytetet më të rëndësishme globale dhe një ndër dhjetë qytetet më të vizituara në Bashkimin Evropian. Bukuria e tij duket sikur shtohet dita-ditës.

 

Koloseu i Romës. Foto: Wikimedia
Koloseu i Romës. Foto: Wikimedia

Qendra e saj historike është Trashëgimi Botërore e mbrojtur nga UNESCO. Monumentet historike si Koloseu (Colosseum), Selia e Vatikanit dhe muzetë e tij vizitohen nga të paktën katër milionë turistë të huaj për çdo vit.

T’i shijoni të gjitha bukuritë e Romës është e vështirë! Ju duhet të jetoni atje dhe të shijoni jo vetëm qytetin e Romës, por një seri monumentesh historike e kulturore që ndodhen në rrethinat e këtij qyteti madheshtor.

 

Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan. Foto: Wikimedia
Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan. Foto: Wikimedia

Historia e Romës jeton çdo ditë, në çdo rrugë apo lagje, me monumente shumë të rëndësishme, skulptura dhe kalldrëme të trashëguara nga antikiteti. Kultura e këtij qyteti, është shenjë e qartë, që tregon madhështinë dhe rëndësinë e tij.

Thuhet, se, të gjitha rrugët të çojnë në Romë, kjo për të rritur madhështinë e saj, por pa shqetësuar buzëqeshjet e atyre që jetojnë çdo ditë dhe ngatërrohen nëpër rrugët labirinte të qytetit tre milionësh.

 

Kështjella Shën Angjelo. Foto: Wikimedia
Kështjella Shën Angjelo. Foto: Wikimedia

Në Romë asnjëherë nuk do të arrini të thoni se çfarë do të shihni më përpara apo se diçka është më e bukur se diçka tjetër. Edhe si vizitor ka të ngjarë që aty të dashuroheni dhe të kuptoni se Roma ngelet një pjesë e pandarë e shpirtit tuaj.

San Pietro, një ndërtesë që është e “frikshme” për nga madhështia e saj artistike, çdo ditë kthehet në një vend ku mijëra vizitorë të ardhur nga çdo cep i botës shkrepin pafund foto. Aty ku Papa, çdo të diel, nis bekime për mijëra e mijëra besimtarë katolikë.

 

Foto: Hotelinrome
Foto: Hotelinrome

Kur dëgjojmë të flitet për Romën i pari objekt që na vjen në mendje, është Koloseu. Koloseu, më shumë se çdo objekt tjetër, përbën zemrën e Perandorisë Romake, krenarinë e të qenit roman. Është një emocion i papërshkrueshëm të ecësh aty ku Jul Çezari, ka triumfuar me ushtrinë e tij.

Në Romë gjeni edhe Burimin e Trevit (Fontana di Trevi), një mrekulli  që shpreh gëzimin e jetesës. Piazza Navona, Pantheon, Piazza Del Popolo, Piazza Venezia, Piazza Repubblica, vende të tjera janë thjesht të bukura.

 

Foto: Alphacoder
Foto: Alphacoder

Të ecësh në rrugët e qendrës, të provosh një kafe, shijet dhe aromat e lokaleve, duke përfshirë këtu edhe mijëra turistë, që bërtasin, edhe kjo është Roma, të bënë të ndjehesh shumë madhështor/e.

Në Piazza di Spagna, në shkallët e saj, mund të shihni turma të lëvizin në të gjitha drejtimet.  Mund të ndjeni gëzim për të qenë i pranishëm dhe të shijoni rrezet e diellit, ulur në shkallët e këtij sheshi. /Pushime.com/